Përurohet parku dhe këndi i lojërave për fëmijët e komuniteteve në qytezën e Dragashit
Me një ceremoni simbolike, sot u përurua parku dhe këndi i lojërave për fëmijët e komuniteteve në qytezën e Dragashit.
Në këtë ceremoni mori pjesë kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, së bashku me nënkryetarin për komunitete, drejtorët komunalë nga radhët e komuniteteve, shefin e Zyrës për Komunitete dhe Kthim, asambleist si dhe përfaqësues nga partnerët implementues të IOM-it.
Ky projekt u realizua në bashkëpunim të ngushtë me Zyrën komunale të komuniteteve, në kuadër të Programit të BE-së për Stabilizimin e Komuniteteve (EU-CSP IV). Projekti ka kushtuar gjithsej 38,998.70 euro, ndërsa Komuna e Dragashit ka participuar me 25 mijë euro.
Kryetari Xheladini, ka falënderuar partnerët e IOM-it për bashkëpunimin dhe të gjithë përfaqësuesit e komuniteteve të cilët kanë kontribuar në krijimin e kësaj hapësire shumë të nevojshme dhe zbavitëse për fëmijët e qytezës së Dragashit.



