Aliu: Kaosi urban në Ferizaj mënjanohet përmes projektit “Bashkimi i Qytetit”
Ndonëse e gjeti komunën e Ferizajt me 10.56 milionë euro detyrime të drejtpërdrejta të cilat ose janë të përmbaruara ose presim si fatura për t’u realizuar, tashmë kreu i kësaj komune, Agim Aliu shprehet i bindur se do të realizohet e gjithë platformën e tij qeverisëse.
Në një intervistë për KP Aliu ka deklaruar se komunën që drejton e ka gjetur edhe më keq sesa që e kishte menduar.
Ai tha se ka gjetur kontrata të pambuluara, projekte të pambuluara pa asnjë cent dhe se kjo kap shifrën prej 40.8 milionë eurove.
“E kemi gjetur komunën me 10.56 milionë euro detyrime të drejtpërdrejta që janë ose të përmbaruara ose që presin si fatura për t’u realizuar. Po ashtu, kemi obligime dhe kontrata të pambuluara, projekte të pambuluara pa asnjë cent pothuajse dhe që kjo kap shumën prej 40.8 milionë euro. Pra, vetëm në aspektin financiar kemi një mori problemesh dhe një mori çështjesh dhe sigurisht se është një sfidë e jashtëzakonshme për mua si kryetar komunë, por, sido që të jetë gërshetimi i përvojës sime lokale dhe përvoja ime si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe komunikimi që kam bërë edhe me ministrin e Financave dhe me ministritë tjera të linjës po edhe me vetë kryeministrin e Kosovës, të cilët tashmë kanë shprehur gatishmërinë që të më mbështesin pikërisht për faktin se është një gjendje të tillë komuna e Ferizajt. Unë besoj se do të realizojë platformën time qeverisëse, unë do të realizoj atë q ë ka qenë besim i qytetarëve të komunës së Ferizajt, ka qenë zotim i imi, sepse kam dëshmuar dhe do të dëshmojë se nuk jam një njëri që vetëm kam premtuar dikur apo që më shërbejnë fushatat elektorale vetëm sa për të marrë vota”, tha Aliu.
Përveç gjendjes financiare, kreu i Ferizajt thotë se në gjendje të rëndë është edhe fusha e urbanizmit, ku ai u shpreh se kanë trashëguar një plan zhvillimor komunal, i cili më së paku mund të quhet i tillë.
Për të zgjidhur këtë kaos, Aliu thotë se do të shtyjë përpara projektet të cilat do të zgjidhin këtë kaos urbanistik, që një nga to është projekti “Bashkimi i Qytetit”.